Pas ditëve të nxehta me diell, ku temperaturat arritën deri në 28 gradë celcius, rikthehet dimri në mes të pranverës. Reshjet kanë shkaktuar edhe përmbytje në zona të banuara, konkretisht në Kamëz.
“Këtë fillim jave i gjithë vendi ynë është ndikuar nga afrimi i masave ajrore të ftohta nga Europa veriore të cilat u pasuan nga rreshje shiu, këto edhe në formën e stuhive të lokalizuara. Gjatë ditës së martë parashikohet ndërprerje e përkohshme e rreshjeve, duke i rikthyer me intesitet të lartë në mbrëmje deri në orët e para të ditës së mërkurë. Intesitet të larte të reshjeve parashikohet ne ultësirën perëndimore, pra, në Shkodër, Lezhë, Laç. Ndërsa në zonat malore në orët e para të ditës së enjte parashikohen edhe rreshje bore si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave me 10 gradë celcius. Fundjava do të sjellë përmirësim të motit dhe rritje graduale të temperaturave të mesditës”, bën të ditur meteorologia Rezarta Xhakollari.
Por, sinoptikanët thonë gjithashtu se situata klimaterike mund të ndryshojë sërish, duke qenë se pranvera njihet edhe si stina ku parashikimet pësojnë luhatje të menjëhershme.