Masat e ftohta ajrore rikthyen reshjet e borës gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm në zonat malore. Reshjet do të jenë të pranishme me intensitet të ulët deri në mesditë, në verilindje dhe juglindje të vendit.
Sipas redaksisë së motit në Top Channel, kjo situatë meteorologjike u pasua nga rënie e ndjeshme e temperaturave ku sot termometri vlerën më të ulët e ka regjistruar me 0 gradë celcius në qytetin e Kukësit. Përveç Kukësit, reshje ka pasur në disa fshatra të Bulqizës, në zonat e thella malore të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ku në Qafë të Thorës, po në zonën e Thethit, ka prani më të madhe bore, madje raportohet për segmente në këtë aks që janë vështirë të kalohen.
Reshjet e borës janë rikthyer në rajonin juglindor të vendit. Në dy fshatrat malore, Dardhë dhe Voskopojë, trashësia e borës ka arritur deri në disa centimetra. Në Voskopojë, trashësia ka arritur në 5 cm, ndërsa janë duke vazhduar reshjet. Në Dardhë, bora ka arritur 15 cm. Po punohet për pastrimin e rrugës së Dardhës.
Në Elbasan, në lartësinë mbi 1 mijë metra, në fshatrat e Librazhdit ka pasur reshje të pakta dëbore. Dëborë raportohet edhe në zona të Gjirokastrës.