Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës vendosi përballë Realin me Atletikon e Madridit, ndërsa Juventusi do të përballet me Monakon.
Ndeshjet e para do të jenë Real vs Atletiko dhe Monako vs Juventus.
Në letër shorti duket favorizues për italianët që eleminuan në çerekfinale Barcelonën, ndërsa dëshira e të dyja skuadrave madrilene për të shmangur njëra-tjetrën para finales së madhe të Kardifit mbeti një dëshirë.
Reali do të presë në Bernabeu Atletikon më 2 maj, ndërsa Monako në principatë Juventusin një ditë më vonë. Ndeshjet e kthimit luhen një javë pas ndeshjeve të para.
Finalja e madhe luhet në Kardif më 3 qershor.
Liga e UEFA
Ajaksi kundër Lionit dhe Celta Vigo kundër Manchester United. Këto janë dy sfidat gjysmëfinaliste të përcaktuara nga shorti për Ligën e Europës.Holandezët, që eleminuan Shalken në çerekfinale, do të luajnë ndeshjen e parë në shtëpinë e tyre, ndërsa United i Mourinhos me gjasa do të luajë pa Ibrahimovic të dëmtuar ndeshjen e parë në Spanjë ndaj Celtas.
Ndeshjet e para do të luhen më 4 maj, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë.
Finalja e madhe luhet më 24 maj në “Friends Arena” të Stokholmit.