Gjergj Bojaxhi ka përshëndetur iniciativën e europianëve për arritjen e negociatave mbi ngërcin e situatës politike por ka bërë thirrje që procesi të zhvillohet konform rregullave dhe ligjeve që dikton Kushtetuta. “Përshëndesim iniciativën e europianëve, pa të cilët ne vazhdojmë të mos jemi të zotët, por urojmë që të mos ketë marrëveshje mes palëve për shkelje të rregullave që ekzistojnë.”Në deklaratën për mediat, anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë shton se interesat nuk mund të dalin mbi rregullat.“SFIDA për Shqipërinë beson se ka ardhur koha të jemi mjaftueshëm të rritur e seriozë sa t’i respektojmë rregullat dhe ligjet më shumë sesa tekat apo interesat politike të personave dhe subjekteve të caktuara”, është shprehur Bojaxhi.Shqiptarët meritojnë seriozitet, thotë ai. Sipas tij zgjedhjet e 18 qershorit janë një e drejtë e qytetarëve e cila nuk duhet t’u mohohet.“SFIDA për Shqiperinë bën thirrje që të mos u hiqet e drejta për të votuar qytetarëve në zgjedhjet tashmë të dekretuara të 18 qershorit. Rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen kur loja ka filluar. Do të ishte shenjë autokracie të rrezikshme”, përfundon deklaratën Gjergj Bojaxhi i Sfida për Shqipërinë.