Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në një prononcim për media pas përfundimit të tryezës me partitë politike të thirrur prej tij por të bojkotuar nga partitë opozitare, Meta tha se Partia Demokratike po ndjek një axhendë politike që nuk i shërben procesit të zgjidhjes së krizës dhe as vetë opozitës.
Opozita e quajti “tyrezë fasadë” iniciativën e Metës për të mbledhur të gjitha partitë në një tyrezë, por kreu i LSI-së nuk pranoi të komentojë rreth kësaj, duke u shprehur se “Opozita ka të drejtën e saj ta quajë të kotë”.
Më tej Meta u shpreh se mazhoranca ka bërë disa përpjekje për zgjidhjen e krizës por opozita barazon ultimatumin me dialogun.
Ilir Meta:
Ftova sot të gjitha partitë për t‘i informuar me situatën aktuale por edhe diskutimet e zhvilluara dje. Dhe në këtë drejtim besoj se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të morëinformuar pasi janë bërë përpjekje të rëndësishme serioze nga partnerët ndërkombëtarë.
Është për të ardhur keq që nuk po demonstrohet vullneti për t’i dhënë çdo shqiptari një proces demokratike, normal.
Opozita ka të drejtën e saj të quaj të kotë çdo përpjekje tonë dhe timen personalisht. Është e drejta e saj, mos prisni që unë të them se ajo e bën këtë gjë për këtë arsye.
Kam bërë të gjitha përpjekjet për t’u vendosur dialogu që nga dita e parë, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin.
Janë bërë disa përpjekje nga ana e maxhoracës aktuale, por kuptohet që opozita ka një axhendë të sajën politike që nuk i shërben këtij procesi, dhe nuk besoj se do i shërbejë edhe vetë opozitës. Vetëm pjesëmarrja do të bënte të mundur që opozita të garantonte dhe të ishte ajo opoiztë që ky popull dëshiron.
Kodi zgjedhor është një kod i mallkuar për shqiptarët, i bërë në errësirë nga shqiptarë e ndërkombëtarë. Pasojat e krizave të këtyre viteve janë pasojat e kodit të bërë në errësirë me ndryshimin e dhunshëm që iu bë.
Ne si LSI kemi bërë çdo përpjekje për të kontribuar në zgjidhjen politike, këto përpjekje nuk janë shteruar. Vendi meriton qetësi, paqe sociale.
Ky kod zgjedhor nuk ka provuar që t’i japi shqiptarëve demokracinë që funksionon dhe vazhdimisht e çon vendin nga një krizë në një krizë tjetër.