Ashtu siç ka paralajmëruar opozita do të zhvillojë sot një protestë në bulevardin dëshmorët e Kombit në Tiranë. Protesta pritet të nisë në orën 12:00 dhe zhvillohet pas 84 ditë qëndresë në çadrën e lirisë.
Protesta e sotme (13 maj) është cilësuar nga opozita si dita kur do të nisë ngritja e Republikës së Re, që kryetari i PD, Lulzim Basha e ka artikuluar qysh prej nisjes së kauzës për zgjedhje të lira në 18 shkurt.
Për nga skenari protesta është e ngjashme me atë të 18 shkurtit. Qytetarët do të mblidhen rreth orës 11:30 ne sheshin mes ministrisë së Brendshme dhe asaj të Bujqësisë.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha, i shoqëruar nga të rinj do të marshojë nga selia blu, në bulevardin “Zhan Dark”, për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard para hotel “Dajtit”, ku bashkë me ta do ti drejtohet sheshit para kryeministrisë.
Në podiumin e vendosur para asaj që është pagëzuar nga protestuesit si “çadra e lirisë”, do ngjiten qytetarë për të përçuar problemet e tyre, ndërsa mesazhet e fundit politike, bashke me mënyrën se si do vazhdoje protesta, do të jepen nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Lezhe, qindra qytetarë janë mbledhur në mënyre të organizuar dhe po nisen për në protestën e PD. Mbi 10 autobuzë nga qyteti dhe të gjitha njësite administrative po nisen drejt Tiranes. Kreu i PD, Paulin Marku jane mbi 2500 persona qe po nisen nga Lezha me autobuza dhe mjete private.
Drejtues të PD në Shkodër bëjnë të ditur se janë rreth 3 mijë protestues që janë nisur drejt Tiranës. 9 autobusë, 15 furgonë dhe mbi 600 mjete private.