Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim si më parë për demarkacionin me Malin e Zi. Ai gjatë takimit me studentë të kolegjit UBT, ku i pranishëm ka qenë dhe partneri i tij i koalicionit Kadri Veseli, është shpehur se qëndrimi i tij për këtë çështje mbetet i njëjtë dhe procesin për përcaktimin e vijës kufitare do ta fillojë nga fillimi.
“Është shumë thjeshtë, Parlamenti i mëhershëm, nuk e ka vlerësua këtë marrëveshje, nuk ka e ka ratifikuar atë… Ne mendojmë që e rifillojmë këtë proces. Jam i sigurt se kufiri është në Kullë edhe Çakorr dhe do të punojmë ta kthejmë atje ku ka qenë”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj duket se kështu u jep fund aludimeve të disa analistëve që kishin dyshuar se ai mund të kishte bërë kompromis mbi këtë çështje kur ka pranuar të jetë kandidat për Kryeministër i koalicionit PDK, AAK dhe Nisma.