Shpesh tërhiqemi nga ngjyrat, modelet e fundit, por rrallëherë mendojmë për rrezikun ndaj shëndetit. Një nga vendet ku mund të merret HIV/AIDS, Hepatiti B dhe sëmundje të tjera janë qendrat estetike, të cilat janë jashtë çdo kontrolli higjenosanitar.
Anila Zhupa, specialiste e estetikes mjekësore tregon për Vizion Plus se gjatë trajtimit të duarve dhe këmbëve mund të infektohemi nga sëmundje të ndryshme për shkak të mossterilizimit të pajisjeve. Në çdo sallon në vendin tonë bëhen trajtime të tilla, por të pakta janë ato qendra që kryejnë sterilizimin e mjeteve para përdorimit. E nëse jashtë vendit, para se të hapësh një biznes të tillë, ka kontroll të rreptë nga autoritete shëndetësore, në Shqipëri këto qendra trajtohen thjesht si biznese.
Specialistë të estetikës mjekësore bëjnë apel që krahas pamjes së jashtme dhe të bukurës, vajzat duhet të bëjnë kujdes për shëndetin. Para trajtimit të duarve dhe këmbëve duhet t’u kërkojnë përdorimin e pajisjeve të sigurta dhe të sterilizuara, ashtu si tek stomatologu.