Punonjëset e një fabrike këpucësh në periferi të Fushë-Krujës kanë shfaqur shenja helmimi gjatë orarit të punës.
Mëngjesin e sotëm, 11 punonjëse të kësaj fabrike u dërguan menjëherë në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, ku kanë marrë ndihmën e parë.
Ato kanë shfaqur komplikacione të ndryshme shëndetësore, si marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje deri dhe gjendje të fikëti. Ende nuk dihet shkaku i këtij helmimi, po paraprakisht dyshohet për mosrespektim të standarteve teknike në objekt.
Sipas burimeve policore, shkak dyshohet të jetë mungesa e ajrimit të mirë dhe efektet negative të çliruara nga përdorimi i lëndës së parë në punë.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Inspektoratin e Mjedisit, po kryejnë të gjitha veprimet e duhura për përcaktimin e shkakut dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.