Edi Rama, Ilir Meta e Lulzim Basha po luajnë gjithçka për gjithçka. Janë përfshirë në një betejë që s’po kursen asgjë.
Javën e fundit PS e PD nisën një sulm të koordinuar kundër LSI, çka e detyroi Ilir Metën të linte “paanësinë presidenciale” mënjanë dhe të zbriste vetë në fushatë (Lexo shkrimin poshtë). Edhe marrëveshja që ata gjetën natën e 18 majit u pa si një thikë pas shpine ndaj partisë së Ilir Metës, që një herë u akuzua se gërryu qeverinë e Berishës dhe tani qeverinë e Ramës.
Që LSI ishte kthyer në armikun e të dyve, Ilir Meta e nuhati ende pa u hedhur në letër pakti Rama – Basha. Për këtë arsye e mbajti fryëm tek Berisha, i cili mësohet të ketë ngritur duart, duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja.
Pak nga pak marrëveshja nisi të zbulohet.
Edi Rama foli për një politikë shqiptare me vetëm dy parti. Kjo do të thoshte një politikë pa LSI. Ai, si kundështar dhe njëkohësisht si bashkëpunëtor ka zgjedhur Lulzim Bashën.
Këtu shpërtheu lufta e akuzave publike mes tre kampeve. Lapsi.al po sjell më poshtë deklarata më të ashpra të Ramës, Metës e Bashës.
Ilir Meta ka këtë përgjigje për sistemin me dy parti: Këtu aktualisht, për fat të keq, nuk kemi të bëjmë me dy parti, por kemi të bëjmë me dy individë, të cilët i bëjnë listat sipas dëshirave të tyre, i fshijnë kontributet e njerëzve me vlera në partitë e tyre thjesht, sepse nuk u përshtaten apo për një mendim kritik që mund të kenë shprehur. Dhe, për fat të keq, këta dy individë ngjajnë si dy pika uji, po të shohim mënyrën se si është vepruar edhe me listat e kandidatëve që ata kanë paraqitur dhe kontestimin e gjerë të tyre brenda vetë partive.
Përgjigjja ime për z. Rama, meqenëse e ka me pasion këtë çështjen e dy partive, ku, në fakt, ai ka në mendje vetëm një parti, madje nuk ka në mendje asnjë parti, por vetëm një njeri, veten e tij, është kjo: në rast se Shqipëria do të ketë dy parti, një nga këto dy parti do të jetë pa asnjë diskutim LSI-ja dhe do të jetë partia më e madhe e shqiptarëve.
Edi Rama e ka identifikuar LSI-në tashmë jo vetëm si partinë që duhet të luftojë, por si forcën që as duhet marrë në konsideratë pas zgjedhjeve, për shkak të rezultatit. Ai po i faturon asaj përgjegjësitë për dështimet e qeverisë së tij.
Edi Rama: Një problem kam unë me LSI-në: LSI është në qeveri me PD, pastaj me PS. Kur vjen puna se çfarë nuk shkon, “e ka fajin i madhi”. Po LSI çfarë bën në qeveri?!”
Ilir Meta ka këtë përgjigje për të nga studio e Channel One:
Ilir Meta: “Përgjegjësinë për drogën duhet ta mbajë Rama, nuk mund ta mbajë LSI-ja, sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale, edhe pse ka pasur kundërshtime të mëdha edhe nga brenda nga PS-ja, por edhe unë i kam shprehur rezervat e mia atij dhe personit në fjalë.
Më ka thënë që ky është njeriu më i besuar, nuk kam njeri tjetër më të besuar. Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje.
Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama dhe nuk ka asnjë përgjegjësi LSI-ja. Edhe një deputet që kishte LSI-ja që nuk e dinte se ishte me këto probleme, e kishte marrë Rama. Kjo është historia.
Tani për çfarë ka përgjegjësi LSI-ja? Për koncesionet? LSI-ja ka dy vjet që ka dorëzuar në parlament ligjin për koncesionet. Pse? Sepse është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të jepen koncesionet fshehurazi, të jepen burimet natyrore të Shqipërisë fshehurazi, të jepen miliardë euro fshehurazi.Aty i kemi të ardhurat, nuk i kemi tek taksat e larta.
Nuk e di se për çfarë ka marrë përgjegjësi zoti Rama? Për zotin Rama gjithmonë përgjegjësinë e ka ose Berisha, ose Luli, ose LSI-ja. Pra, gjithmonë ai fajin do ta gjejë diku, asnjëherë nuk do ta gjejë te vetja e tij. Unë mendoj se kjo arrogancë e tij do të ndëshkohet në mënyrë të pandalshme më 25 qershor.
Për përgjegjësitë në qeverisje, Edi Rama i kujton Ilir Metës përfitimet nga pushteti:
Edi Rama: LSI ka ndarë pushtet dhe ka përfituar prej tij në fillim me PD dhe më pas me PS, por në fund ka drejtuar gishtin nga partia e madhe duke akuzuar se faji ishte i tyre.
Por Ilir Meta thotë se s’mund të mbajë mbi kurriz asnjë pazar të të Edi Ramës.
Ilir Meta: “LSI-ja mund të marrë përgjegjësi pse i votoi Ramës “Croën Agent’s” në Parlament në një mënyrë, do të thosha, jo shumë të ndershme, për arsye se do të duhej të ishte shpallur një garë, por e votoi, sepse mori garanci, besoi Ramën që do të bënte mrekulli me doganat. Kjo mrekulli nuk ndodhi, apo jo? Ne i dhamë një besim. Ai na dha garanci, ne i dhamë besim. Kjo gjë dështoi, nuk mund të marrë LSI-ja përgjegjësinë për këtë gjë”.
Duke i faturuar përgjegjësitë për dështimet dhe duke u përpjekur ta etiketojë si “pengesë”, Ram i faturoi LSI –së edhe largimin e socialistëve nga puna.
Edi Rama: Unë jam dëshmitar dhe kam kyçur gojën kur gratë socialiste hiqeshin nga puna nga partnerët tanë në koalicion, që i shantazhonin për të ndërruar parti. Kam kyçur gojën për hir të reformave të mëdha. Mirëpo kjo histori duhet të marrë fund më 25 qershor… LSI kërkon që një dorë ta mbajë në timon dhe një tjetër ta ketë të lirë të akuzojë sa herë vjen radha për të ndarë pushtetin duke akuzuar partinë e madhe.
Ilir Meta thotë se socialistët i largoi nga puna Rilindja.
Ilir Meta: Mendoj që kjo është një shpikje e rëndomtë nga këto inskenimet e zakonshme.
Ai thjesht kërkon që të justifikohet para socialistëve, ndjen distancën e thellë që ka krijuar me ata për shkak të arrogancës, mosmirënjohjes dhe së dyti është ky vetë që nuk ka treguar asnjë lloj respekti dhe asnjë lloj konsiderate për të gjitha ato gra të shquara të PS-së, natyrisht edhe burra. Po të shikosh listën e fundit, gratë më të shquara të PS-së në vite u zhdukën nga lista.
E para, një herë ai përfaqëson një ish-parti të madhe dhe për këtë duhet të jetë i sigurt dhe përgjigjen do ta marrë më 25 qershor dhe Rilindja e tij nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Është kujtuar shumë vonë për socialistët.
Mbasi u ktheu kurrizin dhe promovoi dhe favorizoi, që nga vendet në qeveri, edhe në kundërshtim me këshillën time kur u krijua qeveria në vitin 2013, ku i kam thënë të ruajë balancat midis figurave politike dhe figurave të reja që kërkonte t’i promovonte.
Mbasi u ktheu kurrizin socialistëve për katër vjet, tani po përpiqet t’i rikthejë te kutitë e votimit, duke i manipuluar sikur ua ka fajin LSI-ja atyre që kanë qenë të injoruar, kur në fakt të gjithë e dinë që ky e ka natyrën e vet që gjithmonë përbetohet e stërbetohet për dashuri ndaj popullit të tij për të arritur një interes të caktuar dhe përsëri ka të njëjtin problem, i cili ka të bëjë me mosmirënjohjen që ai e ka një sëmundje të pashërueshme.
Kështu që socialistët nuk e besojnë dot më atë dhe natyrisht që më 25 qershor nuk do të votojnë për Rilindjen”.
Edhe pse sulmet e Ramës dhe Bashës kundër LSI duken të sinkronizuara, Edi Rama e ka mohuar këtë. Por Meta është i bindur për të kundërtën.
Edi Rama: “Nuk ka asnjë komplot kundër LSI-së”
Ilir Meta: “Në fakt ai ka të drejtë, nuk ka kopmplot kundër LSI-së, ka një komplot kundër demokracisë në tërësi. LSI sulmohet, sepse shikohet si e vetmja alternativë që mund të kundërshtojë pazaret e dy individëve, të cilët thjesht kanë bërë një marrëveshje për karriget e tyre dhe të pushtetit të tyre e oligarkisë në vlerësimin tim.
Të të njëjtëve njerëz që drejtonin në kohën e Berishës dhe kontrollonin konçensionet në universitete private, dhe të njëjtëve njerëz që për fat të keq kanë të njëjtin ndikim edhe sot. Kjo është ajo që i bashkon më shumë se çdo gjë tjetër. Jo interesi i shqiptarëve, jo interesi i demokracisë.
Dhe po ta shikosh edhe shfarosja nga lista e PD-së të shumë njerëzve me kontribute ndodhi mbas këtij takimi 3 orësh, pas marrjes së disa garancive”.
Rama e sulmoi LSI –në duke e quajtur një ndërmarrje eficente përsa i përket shtimit të radhëve të saj nga punësimet në administratë. Kjo duket se është edhe një prej pikave të marrëveshjes Rama – Basha, nga e cila, ministrat teknikë të Bashës kanë nisur spastrimet e drejtorëve të LSI nga administrata.
Edi Rama: “Të gjitha partitë e vogla këtë punë kanë bërë dhe këtë punë duan të bëjnë. Duan një, dy, tre vota, 5 kartonë që të vijnë e të bëjnë pazar për të punësuar njerëz të partisë. Unë kam qenë deri në fund për koalicionet. LSI-ja ka qenë e ngurtë për këtë në raport me këtë nevojë. Pastaj ka krijuar një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën”.
Ilir Meta i konsideron përralla këto deklarata dhe e akuzon Ramën për diversion edhe mes aleatësh, për shkak të frikës që ka nga zgjedhjet e lira.
Ilir Meta: “Mendoj se të gjitha këto janë përralla, janë barcaleta. LSI-ja absolutisht gjithmonë qëllimet i ka patur të hapura.
Së dyti, ai e ka ftuar LSI duke i thënë hajde me mua se ne i bëjmë 71 vota edhe pa ty, sepse ne kemi PDIU-në. Gjithmonë edhe raportet brenda koalicionit i ka parë në mënyrë diversioni. Afron PDIU me qëllim që ta shikojë si një mjet presioni ndaj LSI-së. Pastaj përpiqet të afrohet me LSI, duke i thënë PDIU-së se nuk ju do juve LSI-ja. E ka në natyrën e vet diversionin, paqëndrueshmërinë dhe pabesinë.
Kështu që nuk habitem fare nga të gjitha këto deklarata të z. Rama. Besoj se kapitulli i tij është i mbyllur. Ai ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj nuk e donte opozitën në zgjedhje. Ai kishte frikë nga Ben Blushi për të konkurruar në parti dhe bëri një referendum. Nxori gjithë socialistët në mënyrë që të mos bënte zgjedhje. Këto janë problemet e tij, ne nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, nuk e shërojmë dot nga kjo fobi që ka nga zgjedhjet e lira, nga demokracia. Shqipëria nuk kthehet 27 vjet mbrapa. Ajo histori ka perënduar një herë e përgjithmonë.
LSI, për Edi Ramën është partia që e pengon ta ngasë qetësisht makinën e pushtetit. Dhe Ilir Meta e ka përgjigjen të fortë edhe për këtë rast.
Edi Rama: “Unë dua një timon. Nuk duam të mbajmë në prehër të tjerët sepse kështu nuk arrimë dot në destinacion”.
Ilir Meta: Unë jam i bindur që më 26 qershor LRI-ja e Tiranës do t’i çojë dhe një timon dhe një tepsi në Surrel t’i mbajë për të gjithë jetën atje. Siç mori Valesa, kur humbi zgjedhjet në Poloni, karrigen nga zyra. Do t’ia çojnë Ramës në Surrel. LRI-ja do t’i çojë edhe një timon edhe një tepsi. Nuk e di a ka apo jo patentë, por unë nuk do të hipja kurrë në një makinë me të.
Timon e tepsi vetëm për vete janë dy tezat e hedhura nga Edi Rama në këtë fushatë. Kjo për të mos e ndarë pushtetin me askënd, apo për të mos e “bosnjëzuar shtetin”, siç është shprehur ai.
Edi Rama: Po ju them që kjo simbolikë është shumë e thjeshtë dhe besoj e kuptueshme për të gjithë. Nëse je në timon ke të gjithë përgjegjësinë dhe nëse je i detyruar të mbash të tjerë në prehër që të mbajën dorën në timon përgjegjësia e madhe mbetet patjetër por vështirësia për të ecur shpejt drejt pa kthesa pa ndalesa pa tronditje, pa pengesa, është shumë e kufizuar. Unë dua që t’i japim fund edhe një aspekti që mbetet një problem i madh për ju, është aspekti i bosnjezimit të shtetit. Bosnja është shtet federal me republika më vete. Dhe administrata jonë shtetërore është e copëtuar sikur janë disa republika brenda shtetit dhe mbi çatinë e këtyre republikave janë flamujt e partive. Nuk mund të bëhet shteti një strehë vorfnore që rrogat e shtetit të përdoren për t’u dhënë njerëzve bukë në këmbim të aktivitetit partiak. Kjo është e pamundur. Shqiptarët nuk mund të ndahen më në copa”
Ilir Meta: Tani ai kërkon të gjithë tepsinë për vete, sepse këtë koncept ka për pushtetit. Kalon nga tepsia te bosnjëzimi.
Së dyti, po të shikosh të gjithë filozofinë e ndërtimit të qeverisë prej tij, është përpjekja për të drejtuar ose më saktë, për të drejtuar në mënyrë jodemokratike, ose për të sunduar. Mospërfshirja e Blushit dhe shumë emrave të tjerë, Arta Dades, në qeverinë e PS çfarë ishte? Vendosja e njerëzve të tjerë si të rinj ishte faktikisht nën kontrollin e plotë të z. Rama.
Kjo ishte një përpjekje për të drejtuar në mënyrë arbitrare dhe natyrisht e gjithë historia e tij tani është thjesht një dëshpërim i tij për të arritur, sipas tij, një shumicë me format dhe mënyrat që ai ka në mendje, por që ia lexojmë të gjithë, e cila t’i japë mundësinë që ai të bëjë gjithçka: ta miratojë ligjin e mbetjeve pa e penguar LSI-ja, mos të miratojë kurrë ligjin e koncesioneve, t’i japi si të dojë, të bëjë ç’të dojë me reformën në arsim e në fund të thotë që është sukses i madh, se 10% e maturantëve që ngelën të pakënaqur nuk është ndonjë gjë e madhe, pa u shqetësuar se ata përpara se të jenë 10% janë fëmijë, kanë ëndrra, kanë prindër, kanë familje dhe kështu me radhë. Mendoj që është në rrugën e duhur për të marrë përgjigjen e duhur.
Edi Rama kërkon t’i njohë ndonjë meritë LSI –së në qeverisje. Por inati i Ilir Metës duket i papërmbajtshëm.
Edi Rama: “Unë kam punuar shumë mirë me ministrat e LSI-së, përveç njërit, Ylli Manjanit, që nuk punoja dot. Ai nuk ishte për atë punë.”
Ilir Meta: “Është e qartë që i vetmi që nuk është për atë punë është z. Rama, pavarësisht nga të gjithë mangësitë e të gjithë ministrave të tjerë. Ministrat e LSI-së janë treguar mjaft korrekt, mjaft bashkëpunues me të. Ai ka abuzuar shumë me frymën e tyre të bashkëpunimit, me tolerancën e tyre.
Kryeministri nuk e fshehu pakënaqësinë me zbritjen e Metës në fushatë. Por Meta thotë se ky është vetëm një shqetësim i tij dhe i Lulzim Bashës për pamundësinë e asgjësimit të LSI. Këtu i përgjigjet edhe një kandidati të PD -së, profesor ne UET, që foli për shkarkim të Metës.
Edi Rama: “Për shkak të boshllëkut të ligjit, unë nuk do ta bëj atë, por z. Meta e bën që merr pjesë në fushatë”.
Ilir Meta: Unë e kuptoj hallin e të dy zotërinjve që ju sapo përmendët. Z. Rama natyrisht që nuk është personi më i duhur për të dhënë rekomandime rreth sjelljes institucionale, pasi ka 4 vjet që si Kryeministër nuk duhet të bënte shumë e shumë gjëra. Pastaj nuk ia vlen të merrem me kandidatët e Henri Çilit në listën e Partisë Demokratike.
Por nga akuzat e forta të Metës nuk shpëton as Lulzim Basha. Të martën në Shkodër, Meta i quajti si “Tomi & Jerry”. Deklaronte se Shqipëria nuk mund të mbetej peng i dy karagjozëve, i dy të pabesëve. Ilir Meta, kur flet për Bashën, e etiketon si mosmirënjohës, si mashtrues, siç thoshte dikur se “ai të gënjen edhe për orën”. Mosmirënjohjen ia kujton për mbajtjen e PD –së në pushtet në 2009 dhe zgjedhjen e vetë Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës në 2011.
Ilir Meta: Me z. Basha kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Në fakt, dy njerëzve që u kam bërë më shumë dhurata në këtë jetë janë Rama dhe Basha. Në kuptimin politik të mbështetjes dhe ndihmës në momente të rëndësishme për ta.
Dhuratë në kuptimin e mbështetjes.
Dhurata është kryetar Bashkie në vitin 2000. Dhurata është kryetar Bashkie në vitin 2007. Kundërdhurata e tij në 2008-n ishte aleanca me Berishën për të bërë Kodin për të zhdukur LSI-në. Kjo ideja e timonit nuk është e re. E vetmja gjë e re është që sot LSI-ja është forcë e parë, jo më një forcë e re.
Në çadër Basha e përmendi vetëm ndonjëherë shkarazi Ilir Metën. Pas paktit me Ramën, sulmi ndaj LSI ka dalë në plan të parë.
Lulzim Basha: “Tregtarit të Venedikut i them ta marrë me qetësi dhe dashuri faktin që SHKP e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor, skllavërimi i votuesve merr fund. Tregtari i Venedikut u zgjodh president. SHPK-ja jote do të marrë fund, mos shkel etikën. Lëre Petritin të marrë faturën e falimentimit të SHKP-së. Dhe ju të LSI-së hidhjani teserat në fytyrë, dhe ejani në PD. Pazaret politike marrin fund në 25 qershor, opozita e bashkuar dhe PD me votën e qytetarëve do te qeverisin republikën e re”.
Për tregtar, Ilir Meta tregon me gisht vetë Bashën, ndaj të cilit lëshon akuza të ashpra se ka futur kandidatë me lekë në listat e PD.
Ilir Meta: Së pari, kjo vetëm egërsi nuk mund të quhet. Ky është dëshpërim, aq më tepër kur këtë gjë e thotë z. Basha. E aq më tepër kur kërcënon një politikan si z. Basha, që trembet edhe nga hija e vet.
Natyrisht që janë edhe shumë personalitete të PD-së që kanë dhënë vlerësimin e tyre se ç’lloj shpk-je është ajo e z. Basha. Mendoj që lista e tregon më së qarti se ç’lloj shpk-je është ajo.
Z. Basha as kryetarin e FRPD, që premtonte se 35% do të jenë në listat e Republikës së Re nga FRPD-ja, nuk e ka në listë. E ka Belind Këlliçin? Shikoje çadrën. Shikoji kronikat e çadrës. Atje ishte Belind Këlliçi, mblidhte nga 200 e 300 të rinj.
Ka demokratë që beson z. Basha? Ka të rinj në Shqipëri që beson z. Basha? Çfarë ka? Po edhe vendet e deputetëve si janë vënë? E di ti? Shko në Vlorë se të tregojnë si janë vendosur njerëzit. Nuk dua të merrem me këtë gjë.
LSI-ja nuk vendos kandidatë me lekë. Njerëz pa kontribute, njerëz që s’i njeh partia. Kush i njeh këta?
Lulzim Basha: “LSI ju mashtron me triskat e bukës. Kthehuni në PD se tani jemi më të fortë”
Ilir Meta: Ai bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht. Para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij. Atë nuk e llogarit fare, padyshim. Ai në vend të ndërronte Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që ka përgjegjësi të madhe për të gjithë problemet e drogës në Shqipëri, dhe që ishte një kërkesë më se normale, vajti e mori drejtor OSHEE-je. Apo jo? Ç’lidhje ka drejtori i OSHEE-së me standardin e zgjedhjeve. A mund të ma thuash ti këtë?
Po pse e bëri Rama? Për ta tallur. Ky e mori se mendoi që do të marrë vota me OSHEE-në.
Së dyti çfarë tregon kjo që “LSI i merr me triska, nuk do t’i marrë më, prandaj hajdeni tek ne, se ne do të vijmë në pushtet dhe do ua japim triskat ne”. Ai e di se njerëzit janë dele e dhi dhe ikin siç do ky?
Por ky harron që në 2013-n kur LSI u nda me Sali Berishën dhe kaloi në opozitë, ky që u bë kryetar i Bashkisë Tiranë vetëm falë LSI-së, sepse nuk do të ishte bërë kurrë, ky hoqi gjithë njerëzit që mund të ishin të LSI-së. Edhe shoferë apo pastrues, i hoqi me listën që i çoi Flamur Noka, që nuk duhet ta bënte këtë gjë, pasi LSI ishte në koalicion me PD-në dhe kishte qenë në një koalicion për katër vjet në pushtetin lokal.
Dhe çfarë ndodhi? LSI vetëm u rrit. E ndihmuan të punësuarit PD-në në 2013-n për të qëndruar në pushtet? Jo.
Ky ka këtë logjikë klienteliste dhe mendon që kështu funksionon edhe LSI-ja. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja që zgjohet në orën 11:00 apo në 12:00. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja se ka 4 vjet në opozitë dhe tre vjet ka jashtë shtetit, kontrolloni dhe sistemin TIMS dhe një vit që ka në Shqipëri e ka vetëm në Tiranë.
Nëse ky ka vajtur një herë në Korçë dhe ka qëndruar me kryesinë e demokratëve atje si njeri, nuk po them në një fshat të thellë të Korçës apo në një fshat të Shkodrës, apo në një fshat të Tepelenës, dhe vetëm ndonjë dalje televizive, ndonjë deklaratë këtu, ndonjë deklaratë atje dhe ky mendon se opozitarët dhe demokratët do të frymëzohen nga kjo lloj sjelljeje burokratike.
Lulzim Basha: Iku dhe SHPK, s’ka më pazar, s’ka më matrapazllëqe me votën e lirë dhe shqiptarët”
Ilir Meta: “Ky kujton se bën pazar me Ramën dhe çdo gjë u vendos në Shqipëri. Ky nuk e di se vendimi merret më 25 qershor dhe vendimin do ta marrin gjithë shqiptarët.”
Lulzim Basha: “LSI-ja që nuk mban përgjegjësi asnjëherë si kur është me PD-në ashtu kur është me PD-në”
Ilir Meta: “LSI-ja nuk mban përgjegjësi për drejtimin e qeverisë. LSI-ja ka mbajtur përgjegjësitë e veta për pozicionet që ka pasur dhe LSI-ja tani do të marrë qeverinë dhe do të mbajë përgjegjësitë e saj për këtë drejtim”.
Lulzim Basha: “Unë bëra për dy vjet rrugën e Kombit dhe z. Rama nuk ka bërë për katër vjet Lungomaren”.
Ilir Meta: “Me aq para sa u përdorën për Rrugën e Kombit mund të ishin bërë dhe nja tre rrugë të tjera. Megjithatë, nuk po hyj te kjo çështje, ajo i mbetet z. Berisha si ide. Pastaj ky ka qenë një zbatues, ka pasur ca probleme me tunelin, por shpresojmë të mos ketë më”.
Lulzim Basha: “Koalicioni i ngjalave dhe i peshkut nuk është më koalicion pasi janë ndarë dhe janë bërë copë-copë për shkak të pazareve…”
Ilir Meta: “Tani kemi koalicionin e OSHEE-së dhe Hipotekave…”
Lulzim Basha: “Po zihen me LSI-në për tepsinë, nuk bëjnë fare hesapet tuaja. I bëj thirrje çdo votuesi të PD-së që është zhgënjyer të kthehet në shtëpi”.
Ilir Meta: “Në cilën shtëpi? Në shtëpinë e OSHEE-së, ku të kthehen? Shumë mirë, a e mori OSHEE-në, a i mori Hipotekat, po i merr burgjet. T’i marrë dhe nëse njerëzit kthehen se disa ikin nga puna apo disa kthehen, të shohim se çfarë do të ndodhë më 25 qershor.”
Ilir Meta nuk sheh te Basha jo vetëm një bashkëpunëtor në të ardhmen, por as një politikan që mund t’i shërbejë vetë PD –së.
Ilir Meta: “Nuk ka asnjë lidhje, jo vetëm me dimensionin e Berishës, por absolutisht është një aksident i madh i PD-së për mendimin tim. Edhe unë kam pasur mendim të mirë për të kur ka qenë në pozicionet e ministrit dhe ndoshta për një pozicion ministri ka qenë i përshtatshëm për të mbajtur atë presion dhe atë ngarkesë, por gjithmonë duke pasur mbi vete një lider të fortë që mund ta orientojë apo ta udhëzojë. Por ai si politikan i nivelit të parë është mjaft i dobët, sepse nuk ka shtyllë kurrizore të fortë. Nuk e mban falën dhe ky është një problem i madh, çështja e mirëbesimit. Tha do të jenë 35 % pjesë e FRPD-së në lista? Ai i vuri?
Unë me PD-në kam qenë në një marrëdhënie tepër korrekte dhe kam vlerësimin më të mirë për atë kohë që kam bashkëpunuar me PD-në dhe me Berishën. Këtë e kam thënë edhe publikisht, ia kam thënë edhe Ramës. I kam thënë që personi më i qëndrueshëm me të cilin kam bashkëpunuar në Shqipëri në 26 vjet mbetet z. Berisha, për fat të keq.
Pse? Sepse duhet të kishin dalë politikanë të rinj më të qëndrueshëm më të besueshëm apo më seriozë. Për mua ai është politikan në nivelin e OSHEE-së, nuk ka nivel më të lartë për të premtuar diçka më të mirë, aq më tepër për të dalë garant i kauzave më të mëdha në interes të gjithë vendit.
Rama dhe Basha, sipas Ilir Metës, janë të dy njësoj në dimensionin politik: nuk kanë vlera, por klientelizëm vetëm për pushtet. Dhe kjo është një përgjigje për valën e spastrimeve të administratës nga njerëzit e LSI që kanë nisur Rama e Basha.
Ilir Meta: “Kemi të bëjmë me dy politikanë si Rama e Basha, të cilët nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti dhe ata mendojnë se votat merren me pushtet, me klientelizëm dhe këtë kërkojnë ta faturojnë të tjerëve me presion përmes pushtetit, me frikësime, por kjo gjë nuk ka për të funksionuar. Ata, që të dy do të kenë fatin që pati Doktori, pika ime e dobët, në vitin ‘94, me referendumin që u bë për Kushtetutën. Ky do të jetë fati i të dyve bashkë”. /Lapsi.al