Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci, ka lënë jashtë ekipit kombëtar për 2 ndeshjet e radhës sulmuesin kavajas, Sokol Cikalleshi.
Në një konferencë për shtyp sot përpara takimeve me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë, ai tha se ka grumbulluar 24 lojtarët që do t’i nevojiten për këto dy ndeshje.
Tekniku italian njoftoi se ka grumbulluar 3 lojtarë të rinj, pasi sipas tij ata e kanë merituar.
Më tej ai ka treguar edhe episodin e ndodhur me Cikalleshin:
“Listën e lojtarëve e përcolla ditën e premte, është me 24 lojtarë, mes të cilëve 3 të rinj që e kanë merituar. Fola me Cikalleshin në telefon sot në mëngjes, pasi më tha që nuk mund të vinte pasi duhej të firmoste një kontratë me ekipin e ri. Pasi e dëgjova i thashë që nuk mund t’i jap leje për të ardhur me ekipin, pasi kontratat firmosen edhe me e-mail, por edhe nëpërmjet menaxherit që ta marrë me avion kontratën. Dhe meqë nuk mori avionin e orës 8:00 të mëngjesit, duke mos ardhur në orarin e grumbullimit, lojtari do të qëndrojë në shtëpi, sepse ka rregulla që duhen respektuar. E rëndësishme për mua është që lojtarët të ndihen mirë, por nuk i lejoj askujt të bëjë si të dojë”,- tha ai.
Më tej Panucci foli edhe për rastin Xhaka:
“Xhaka gaboi, por më kërkoi ndjesë dhe për mua Shqipëria është e para, jo inatet personale”, – u shpreh tekniku italian në fjalën e tij./