Presidenti amerikan, Donald Trump ka pranuar ftesën e liderit korano-verior Kim Jong-un për bisedime mbi ngërçin bërthamor. Njoftimi i papritur u bë nga delegacioni i Koresë së Jugut, i cili u takua të enjten me shefin e Shtëpisë së Bardhë.
Lajmin e konfirmoi më pas zëdhënësja e Trumpit, Sarah Sanders në një deklaratë me shkrim, ku thuhej se vendi dhe koha e takimit nuk janë përcaktuar dhe se deri në mbajtjen e tij, të gjitha sanksionet dhe presioni maksimal ndaj vendit të izoluar komunist do të mbeten në fuqi.
Delegacioni koreanojugor u takua në fillim të kësaj jave me Kim Jong-un, i cili i dorëzoi dhe një letër konfidenciale për Presidentin e SHBA-së. Nga sa pohojnë anëtarë të delagacionit, lideri koreanoverior ishte shprehur se “ishte i përkushtuar për çnuklearizimin” dhe kish premtuar se Peniani do të frenohej nga kryerja e provave të mëtejshme bërthamore ose raketore.
Vetë Trump bëri këtë koment mbrëmjen e së enjtes në “Twitter”: “Kim Jong-un foli për çnuklearizim me përfaqësuesit koreanojugorë, jo thjesht për ngrirje. Gjithashtu, nuk do të ketë prova raketore nga Koreja e Veriut gjatë kësaj periudhe kohe. Po bëhet përparim i madh, por sanksionet do të mbeten në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje. Takimi po planifikohet!”.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in e përshkroi këtë zhvillim si një gur kilometrik për paqen e shtoi se një takim i tillë, do ta vendoste në rrugë të mbarë denuklearizimin e plotë të gadishullit.