Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, njoftoi se subjektet private që u ofrojnë shërbime qytetarëve duhet të instalojnë kamera sigurie brenda datës 28 dhjetor, në kuadër të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
“Subjektet që ruajnë lëndë plasëse ose helmuese, duhet të instalojnë kamera sigurie me rezolucion të lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike; subjektet që transportojnë fëmijët, duhet të instalojnë kamera dhe GPS; lokalet e natës duhet të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontrollojnë klientët që hyjnë aty; kazinotë duhet të instalojnë kamera për leximin e targave, kamera sigurie brenda mjediseve dhe të kontraktojnë siguri private të sigurisë; institucionet arsimore detyrohen të instalojnë kamera në mjediset e brendshme dhe në perimetër, pallatet e sportit, stadiumet, muzetë etj., duhet të instalojnë kamera”, tha Tahiri.
Ministri theksoi se “këto masa duhet të merren brenda datës 28 dhjetor, pas kësaj date do të ketë sanksione për ata që nuk i marrin”.
“Kjo nuk është shpikje e jona, por e botës. Nuk ndodh në botë që banka të zhvillojë aktivitetin pa asnjë masë dhe kur vidhet, gishtin ta drejtojë te policia. Të marrim masa të gjithë bashkë për ta bërë vendin më të sigurtë. Këto masa e bëjnë thuajse të pamundur ngjarjen kriminale. Duhet të bëjmë çfarë nuk është bërë në të shkuarën, duhet t’ia bëjmë të vështirë kriminelëve shkeljen e ligjit”, theksoi Tahiri.