Kanë kaluar 9 vite nga shpërthimi tragjik në Gërdec, i cili i mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë, por familjaret e viktimave si çdo vit, në mesditë, nisin marshimin për të vendosur lule, në vendin ku dikur ishte fabrika famkeqe.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit, askush nga politika nuk ishte në krah të tyre. E për këtë, familjarët kanë një mesazh.
“Më vjen keq për këta që bëjnë këta lapidarët dhe nuk vijnë njëherë të thonë një llaf se na bashkon ne dhe tregohen çik frikacakë në këtë moment. Përsa i përket bashkisë, se ne atë njohim, pasi ndodhemi në territorin e tyre, ata ta kenë për turpin e tyre”, thotë Gëzim Deliu, familjar i viktimave të Gërdecit.
Një mesazh ata kanë edhe për drejtësinë.
“S’ka drejtësi, po të ketë drejtësi do të ketë diçka. Përderisa nuk ka, unë nuk njoh drejtësi ndonjëherë që nga ajo ditë e deri sot. Ata marrin rrogën, janë në punën e tyre”, tha Deliu.
Sot Gërdeci ka ndryshuar, nga shpërthimi i 9 viteve më parë, thuajse nuk ka mbetur asnjë shenje. Të vetmet shenja, janë dy memorialet e ngritura, një nga Ministria e Mbrojtjes, e tjetra nga Bashkia e Vorës, të cilat janë pasqyra më e mirë e qasjeve politike mbi këtë ngjarje.