Këshilli i Ministrave vendosi sot disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve në sistemin shëndetësor dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Për natyrën e veçantë të punës, mjekët e spitaleve në shërbimin e Urgjencës, Reanimacionit, Hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale si dhe mjekët neonatë, përfitojnë një shtesë prej 18 000 lekësh në muaj. Ndërsa infermierët dhe laborantët e këtyre shërbimeve përfitojnë një shtesë prej 12 000 lekësh.
Për mjekët që në zbatim të sistemit të referimit dërgohen për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera, vendimi parashikon për çdo ditë shërbimi një shtesë në page prej 5000 lekësh për spitalet rajonale dhe 10 000 lekë për institucionet spitalore universitare.
Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave vendosi edhe disa shtesa për Policinë e Shtetit, Policinë e Burgjeve dhe nëpunës dhe punonjës të institucioneve buxhetore.