Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Rama ka vendosur që punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit të marrin rritje page nga data 1 mars. Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritje page dhe shtesa mbi pagë lidhur me vështirësitë, vendin dhe zonën ku janë vendosur punonjësit e SHISH.
Efektet financiare të këtij vendimi, për shkak të politikës për rritjen e pagave, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin 130/2016 , “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.
Punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, që marrin pagën sipas niveleve të klasifikimit të këtij vendimi, u jepet shtesë për vështirësi vendi dhe zone:
a) Për punonjësit e klasave 1.1 deri 1.4, të nivelit I, të lidhjes nr.1, në masën deri në 30% të pagës bazë mujore;
b) Për punonjësit e klasave 1.5 dhe 1.6 të nivelit I, si dhe për punonjësit e niveleve II, III dhe IV, të lidhjes nr.1, në masën deri në 50% të pagës bazë mujore. Masa e shtesës për çdo vend pune brenda kufijve si më sipër, vështirësia e funksionit si dhe kriteret për përfitimin e shtesës mbi pagë përcaktohen me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”