Drejtoritë rajonale të tatimeve u kanë dërguar të gjithë individëve që kanë konstatuar se kanë pasur të ardhura më të larta se 2 milionë lekë në 2015-n, që të bëjnë sa më shpejt deklarimin e të ardhurave.
“Në zbatim të ligjit për të ardhurat, ju duhet të kishit dorëzuar online deklaratën individuale të të ardhurave vjetore të vitit 2015, pasi keni realizuar të ardhura të tatueshme më të larta se 2 milionë lekë në vit”, thuhet në shkresën e tatimeve, ku u kërkohet që të bëhet deklarimi brenda 20 ditëve nga marrja e njoftimit.
Por, nëse dorëzoni tani deklarimin për të ardhurat e 2015-s, ai quhet i vonuar dhe automatikisht do të dënohet me gjobë. Sipas Kodit të Procedurave Tatimore, gjoba për deklaratë të vonuar është 5 mijë lekë, nga 10 mijë lekë që ishte më parë (gjoba u përgjysmua pas ndryshimeve të fundit lehtësuese të kodit të procedurave).
Ndërsa për vitin 2016, individët dhe bizneset që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit kanë ende kohë deri në 31 prill për të dorëzuar deklarimet online.
Pak kohë më parë Drejtoria rajonale e tatimeve e Tiranës, u nisi një njoftim të gjithë tatimpaguesve, ku i kujton afrimin e afatit për deklarimin e të ardhurave vjetore mbi 2 milion lekë.
“Tatimpaguesit individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, ne Shumen 2 MILION leke , kanë detyrimin ligjor të dorëzojnë online deklaratën individuale të të ardhurave vjetore. Deklarues i të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë. Ju kujtojme se deklarata individuale vjetore e të ardhurave per vitin 2016 dorezohet jo me vone se data 30 prill 2017”.
Që kur ligji hyri në fuqi, deklarimet janë shtuar me nga 11% në vit, duke e çuar numrin e raportimeve në 6341 gjatë 2016-s, sipas të dhënave të mëparshme nga tatimet.