Thomas Strakosha pritet të jetë sot titullar me kombëtaren shqiptare në ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij, ndaj nuk mund të mungonte një takim me të atin, i pranishëm në Palermo.
Legjendari Foto i ka dhënë bekimin të birit, teksa foli për gazetën “Sport Ekspres”.
“Është një emocion i veçantë, më duket sikur do të zbres vetë në fushë. As kur luaja vetë nuk jam ndjerë kështu, qenkësh më e vështirë të shohësh djalin nga tribuna, me ankthin e një ndeshjeje shumë të rëndësishme për vendin tonë”, – u shpreh 52-vjeçari.
I pyetur për gjendjen aktuale të Thomasit, ai u përgjigj se është shumë i kënaqur me pasardhësin e tij, i cili është bërë protagonist në Serie A.
“Te Lazio po ecën gjithçka mirë, jam i lumtur dhe kemi bërë zgjedhjen e duhur. Para se të shkonte atje, Thomasin e kërkoi edhe Cardif City në Angli, por vendosëm së bashku për transferimin në Itali, ku luhet futboll i nivelit shumë të lartë dhe me portierët bëhet një punë e shkëlqyer. Lidhja me Thomasin është shumë e fortë, pikërisht për shkak të tij jemi transferuar familjarisht nga Greqia në Itali”.