Prej datës 1 Prill, në Britaninë e Madhe ka hyrë në fuqi taksa e re mbi automjetet. Ekspertët e ambientit shprehen se, kjo taksë e re pritet të ketë një efekt tejet pozitiv. Nga sistemi i ri, vetëm makinat elektrike dhe ato me hidrogjen që kanë një vlerë jo më të lartë se 40 mijë paund, përjashtohen nga taksa e re e rrugës.
Të gjitha makinat e tjera, në varësi të gazrave që lëshojnë, do të taksohen mes 10 dhe 2000 paundëve në vitin e parë. Pas këtij viti, do të taksohen 140 paund çdo vit. Ekspertët nga ana tjetër shprehen se, sistemi i ri fiskal do të ketë edhe efekte negative. Një ndër to, pritet të jetë edhe rënia e kërkesës për makinat me naftë.
Taksa e re godet veçanërisht makinat që lëshojnë dioksid karboni dhe përjashton ndotësit e tjerë, si dioksidi i azotit apo grimca të tjera të dëmshme. Por nga ana tjetër, sistemi i ri, pritet të nxisë ndjeshëm prodhimin e makinave elektrike. Prej datës 1 Prill, tregu i automjeteve në Mbretëri do të ndikohet nga taksa e re.