Vezët dhe domatet janë mjetet e përdorura shpesh nga njerëzit kundër politikanëve, për të shprehur pakënaqësinë e tyre, por duket se kandidati presidencial François Fillon bëhet nga të parët që është goditur me miell.
63-vjeçari Fillon është përballur me protesta dhe kërkesa të shumta që të braktisë garën presidenciale, që kur u padit për akuzat se pagoi gruan e tij me mijëra euro për punë që nuk i kishte bërë.
Ish-kryeministri po shkonte drejt podiumit në një miting në qytetin Strasburg, kur një djalë i ri që mbante veshur një bluzë me slogane pro Fillonit, i hodhi mbi fytyrë një qese me miell. Rojet e sigurisë ndërhynë me shpejtësi dhe ndaluan të riun, që më pas u shoqërua jashtë sallës së shfaqjes.Sulmi nuk e ndali Fillonin të mbante fjalimit e tij, gjatë të cilit tha se është bërë objektiv i një persekutimi të pamëshirshëm. Ai tha se kundërshtarët e tij po bëjnë gjithçka që ta detyrojnë të tërhiqet, por theksoi se “ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”.
Megjithatë, skandali i ka kushtuar shtrenjtë Fillonit, pasi sondazhet e rendisin të tretin pas udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, dhe kandidatit të pavarur Emmauel Macron.