Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vijuar kontrollet në subjekte që tregtojnë mish që importohet, por edhe në biznese që tregtojnë mish që vjen nga tregu vendas. Nga 880 inspektime, janë marrë masa gjobë dhe paralajmërim për 119 subjekte.
Gjobat janë vendosur për mosplotësimin e kushteve higjieno-sanitare, tregtimi jashtë kritereve të përcaktuara nga ligji, apo edhe për mungesë dokumentacioni. Gjithashtu, ndaj 8 subjekteve është marrë masa e bllokimit të aktivitetit për shkak se nuk plotësonin kushtet për sigurinë ushqimore. Janë sekuestruar 146 kg mish, të cilit i mungonte vula e thertores së liçensuar.“Për shkak edhe të shqetësimit në disa media ndërkombëtare që ka të bëjë me mishin që vjen nga Brazili, AKU do të vijojë të kontrollojë imtësisht çdo lloj produkti që vjen nga jashtë Shqipërisë. Për mishin që vjen nga Brazili, analizat nga laboratori i ISUV kanë konfirmuar të njëjtën përgjigje si të laboratorëve të AKU-së, ku ka rezultuar brenda parametrave që parashikon ligji, por AKU do të jetë e vëmendshme ndaj çdo sasie mishi që do të importohet në vendin tonë”, lexohet në njoftimin e AKU-së.