“Jemi gati prej 5 ditësh për dialogun për zgjidhjen që presin shqiptarët dhe jo monologje shterpë e fasadë dhe t’i rikthehemi lojës se kush e ka fajin”, tha Basha.Kreu i PD-së shtoi: “Kemi thënë se ngrihemi bashkë për zgjedhje të lira e të ndershme, për një republikë të re që nuk do të jetë vetëm e demokratëve e socialistëve, por e të gjithëve. Pushteti duhet të burojë nga qytetarët me votë të lirë e të ndershme. Nuk është drejtësia e korruptuar që polli politikën e korruptuar, por politika e lidhur me krimin që polli drejtësinë e korruptuar dhe ka nevojë për të”.
Basha deklaroi se që çadra proteste të mos ngrihen më në vendin tonë, duhet që të përfundojë saga e zgjedhjeve të manipuluara nga krimi.
“Zgjedhjet e lira nuk mund të jenë produkt i një kompromisi të arritur për hir të kompromisit. Që kjo çadër të mos ngrihet më, saga e zgjedhjeve të manipuluara nga krimi e droga, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Zgjidhjet që ne kemi parashtruar: votim dhe numërim elektronik, kufizimi i shpenzimeve në fushatë elektorale, financimi 100% publik i partive janë masa të domosdoshme. Me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, do të japin garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Afërmendsh, autori i hashashizimit të republikës së vjetër, nuk mund të jetë edhe kryeministri”, theksoi Basha, i cili ftoi në fund qytetarët që sot, në orën 18:00, të mblidhen “në një ditë të veçantë të qëndresës 52-ditore, për të ndarë me shqiptarët lajmin e mirë se koha e zgjedhjeve fasadë, shoqërisë fasadë, arsimit fasadë ka përfunduar”.