Edi Rama dhe Sali Berisha do të mundohen sot të kapin audiencën politike të së njëjtës zonë orare, në një përballje që nuk ka ndodhur së paku që prej vitit 2013. Ata do të jenë në të njëjtën kohë në ekran, por në televizione të ndryshme. Ish kryeministri që sot gjendet në Budapest ka regjistruar një intervistë për TVSH-në me gazetarin Lutfi Dervishi e cila fillon në 20 45. Aty ai ka folur për listën e re të Bashës, problemet me kritikët dhe fushatën, marrëveshjen Rama- Basha, dyshimet dhe vlerësimet e tij si dhe për nevojën për ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese si rrjedhojë e kësaj marrëveshje. Nga ana tjetër në ora 21 00 pasardhësi i tij Edi Rama do të bëjë një rikthim spektakolar në “Zonë e Lirë”. Rama e kishte bojkotuar emisionin e Arian Çanit që prej vitit 2010 dhe ka qenë shpesh herë pre e kritikave therëse dhe ironisë pa limit të moderatorit. Çani u largua nga Klan në vitin 2007 pikërisht për faktin se Aleksandër Frangaj i pengoi një intervistë me Ramën që atëhere ishte në opozitë. Por lideri i PS-së nuk ishte i ndjeshëm ndaj këtij profesionalizmi dhe nuk shkeli më në studion e Klan pasi “Zonë e lirë” u rikthye aty në vitin 2010.
Intervista e Ramës përpos marëdhënies të tensionuar të kryeministrit me Çanin ka edhe një risi tjetër. Më në fund Rama rikthehet në një studio televizive pasi për disa ditë rresht i ka përdorur drejtuesit e emisioneve si ornamente të Rilindjes Urbane duke i lëvizur studio e tyre qytet më qytet.