Sot nis edhe gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Pas kontestimeve të shumta është vendosur që gara të nisë nga Lezha, nga ku Lulzim Basha dhe Eduard Selami do të prezantojnë programet e tyre para strukturave të partisë në këtë qark.
Takimet e dy kandidatëve do të jenë të veçanta dhe nuk do të ketë pikë takimi mes tyre. Në orën 10:00 të paradites së sotme, Eduard Selami do të jetë përpara demokratëve të Lezhës, ndërkohë që Basha do të jetë në Mirditë.
Ndërsa kur Basha do t’i drejtohet Lezhës për takimin e orës 11:30, Selami do të jetë në Mirditë dhe pastaj në Kurbin. Dy kandidatët kanë përcaktuar axhenda të ndara nga njëri-tjetri, por në të paktën pesë raste do të ketë takime të përbashkëta dhe përballje platformash të Bashës dhe Selamit.
Sipas burimeve, debati i parë i hapur mes dy kandidatëve për kreun e PD-së do të vijë që këtë të shtunë dhe ajo do të jetë në Korçë. Pastaj, sërish kandidatët do t’u rikthehen axhendave respektive të takimeve në qytete.
Debati i dytë mes Bashës dhe Selamit do të jetë ai që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës dhe më pas do të ketë edhe tri debate të tjera në degë të Tiranës. Në këto takime do të ketë një përballje të platformave të kandidatëve për mënyrën se si do të drejtohet PD-ja në katër vitet e ardhshme, por gjithashtu edhe anëtarësia do të ketë mundësinë që t’i drejtojë pyetje Bashës dhe Selamit.