Në kuadër të vizitës së tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili shoqërohej prej Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme Arta Dade, u prit sot në Helsinki nga Kryetarja e Parlamentit të Finlandës Maria Lohela më të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Finlandës.
Meta dhe Lohela shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve reciproke parlamentare dhe theksuan se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë për ta ngritur më lart nivelin e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve ekonomike.
Në këtë drejtim u theksua rëndësia e angazhimit të parlamentareve të rinj në të dy vendet duke marrë në konsideratë perspektivën e forcimit të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve tona dhe potencialet e bashkëpunimit dypalësh.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe Parlamenti i saj i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin e saj evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e avancimit me zbatimin e reformës kyçe të sistemit të drejtësisë dhe prioriteteve të tjera të nevojshme për qytetarët shqiptarë.
Meta dhe znj. Lohela diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe nënvizuan rëndësinë e avancimit të të gjitha vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian duke forcuar parametrat e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë qëndrimit në Parlamentin e Finlandës, z. Meta dhe znj. Dade u pritën edhe nga një përfaqësi deputetësh nga fraksionet e ndryshme parlamentare politike dhe nga Grupi Parlamentar i Miqësisë Finlandë-Shqipëri me të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes deputetëve dhe komisioneve parlamentare në nivel dypalësh dhe për mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare.